Kujtim Frangu

Dëshmor i Atdheut

Kujtim Frangu (10 Maj 1955 – 06 Korrik 1997)

Kujtim Frangu lindi në fshatin Lis të Matit më 10 Maj 1955. Shkollën e mesme e kreu në burrel gjimnazi “Haki Fejza”.

Shtëpia ku u lind dhe u rrit Kujtim Frangu

Lisi bën pjesë në zonën e Përtejujit. Ashtu si e tërë krahina e Matit ka qenë qendër patriotike dhe e luftës për liri e pavarësi. Pozicioni i tij gjeografik e ka bërë këtë fshat të prodhojë barot dhe trimëri për t’i përdorur ato në luftëra kundër pushtuesve otomanë, serbë, italianë e gjermanë. Por po të gjurmojmë pak më shumë në prehistori Mati i përket fisit ilir të Albanëve. Pra është zemra dhe kraharori i Shqipërisë së sotme.

Sipas regjistrit osman ose defterit turk të vitit 1467, fshati Lis kishte nëntë familje, njëra prej të cilave ishte familja Frangu. Nga mbiemri e kupton se kemi të bëjmë me një familje katolike që deri vonë në shekullin 18 nuk pranoi të islamizohej nga Turqia.

Lisi ka qenë qendër e rëndësishme administrative, fetare, tregtare, arsimore, nyjë rrugësh dhe komunikacioni. Jo rastësisht në këtë fshat u hap shkolla e parë shqipe në rrethin e Matit.

I pari i Frangajve ka qenë Marini. Por sigurisht ka patur edhe të tjerë para Marinit, por deri këtu arrin memoria e familjes. I jati i Kujtimit, Tofik Frangu kujton deri në 127 vjet më parë, deri në katër breza më parë, deri tek Nuredini. Këtu ka marrë fund ndoshta edhe qëndresa antiislamike për mos turqizimin e shqiptarëve.

Rapsodi popullor këndon:

“ Kujtim Frangun e vajton nana
Luginës së Matit po shkon gjama
“Të vranë o bir, o drita e synit
Në oborr të qendrës së votimit.
…………………………………….
Sikur asht zakon matjan
Rradhë radhë burrat lizdanë
Përcjell fjala dhimbje të randë
Ma të mirin djalë na e vranë.

Puna e tij dhe jeta e tij
Zanin e mirë la në çdo shtëpi
Vdekja e të mirit, kanë thanë
Herë me lotë dhe herë me kangë…


Kujtim Frangu nuk hyri rastësisht në politikë, por përmes një seleksionimi prej disa dekadash, pasi ai kishte qenë objekt i politikës qysh kur kishte lindur. Ai kishte qenë në opozitë me sistemin totalitar dhe kishte luftuar kundër tij me mënyra të ndryshme , qoftë edhe me heshtje.

Vota e lirë ka nevojë akoma për tu mbrojtur. Hamit Kurti, një përfaqësues i mënçurisë së popullit u shpreh për votën e lirë:” Vota asht e shenjtë. Qendra e votimit asht e shenjtë. Asht si kisha dhe si xhamija, si teqeja, ku njerëzit shkojnë dhe falen. Aty njeriu nuk duhet me ba hile, se e vret Zoti, se tek qendra e votimit, tek vota e lirë asht shpirti ynë, asht buka e fëmijve tanë. Në qendrën e votimit nuk shkohet me armë, por me zemër në dorë, me trup e shpirt të hapur, të xhveshur nga hiletë dhe të këqijat.”

Kujtim Frangu nuk jeton fizikisht midis nesh, por ai është një pishtar drite, një martir demokracie. Ai është shembulli i njerit të mirë, por që fatkeqësisht do ti takojë të kryqëzohet për të tjerët që vinë pas.

Heronj nuk janë vetëm ata që luftojnë me armë për liri dhe pavarësi. Heronj janë edhe ata si Kujtim Frangu që luftojnë për votën e lirë, për fjalën e lirë, për demokracinë e vërtetë.

Njerëz si Kujtim Frangu janë të pavdekshëm.